Home Hymn Lyrics Webmaster Contact Us Chinese Traditional Albanian Bible
LifeLock American Standard Basic English Bulgarian Bible Cebuano Bible Chinese Big5 Chinese GB
Font Help Darby English Bible Douay-Rehims Gaelic Manx Gaelic Scotts Greek NT Greek OT
Greek NT Greek NT Stephanos Haitian - Creole Hungarian Bible Jewish Bible King James King James V2
Korean Bible Latvian Bible Maori Bible Modern Greek Rumanian Version Russian Version Ukrainian Bible
Webster's Bible Weymouth NT World English Wycliffe NT Youngs Literal Display Help

Main Index: Albanian Bible UTF8

 

Leviticus 19

[1] [2] [3] [4] [5] [6] [7] [8] [9] [10] [11] [12] [13] [14] [15] [16] [17] [18] [19] [20] [21] [22] [23] [24] [25] [26] [27]

LEVITICUS 19:1 Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:

LEVITICUS 19:2 "Foli tërë asamblesë së bijve të Izraelit dhe u thuaj atyre: Jini të shenjtë, sepse unë Zoti, Perëndia juaj, jam i shenjtë.

LEVITICUS 19:3 Secili prej jush të respektojë nënën dhe atin e tij, po kështu të respektojë të shtunat e mia. Unë jam Zoti Perëndia juaj.

LEVITICUS 19:4 Mos iu drejtoni idhujve dhe mos bëni perëndi me metal të shkrirë. Unë jam Zoti, Perëndia juaj.

LEVITICUS 19:5 Kur t'i ofroni një flijim falënderimi Zotit, do ta ofroni në mënyrë që të pëlqehet.

LEVITICUS 19:6 Do të hahet po atë ditë që e ofroni dhe ditën vijuese; dhe në rast se mbetet diçka deri në ditën e tretë, do ta digjni me zjarr.

LEVITICUS 19:7 Në rast se hahet ndonjë pjesë e tij ditën e tretë është një gjë e neveritshme; flijimi nuk do të pëlqehet.

LEVITICUS 19:8 Prandaj kushdo që e ha do të rëndohet me fajin e paudhësisë së tij, sepse ka përdhosur atë që është e shenjtë për Zotin; ky njeri do të shfaroset në mes të popullit të tij.

LEVITICUS 19:9 Kur do të korrni tokat tuaja, nuk do të korrësh deri në cepat e arës sate dhe nuk do të mbledhësh kallinjtë që kanë mbetur pas korrjes sate;

LEVITICUS 19:10 dhe në vreshtin tënd nuk do të kthehesh prapë, as do të mbledhësh bistakët e mbetur nga vreshti yt; do t'i lësh për të varfrin dhe për të huajin. Unë jam Zoti, Perëndia juaj.

LEVITICUS 19:11 Nuk do të vidhni, nuk do të gënjeni dhe nuk do të mashtroni njëri-tjetrin.

LEVITICUS 19:12 Nuk do të bëni betim të rremë në emrin tim, nuk do të përdhosni emrin e Perëndisë tuaj. Unë jam Zoti.

LEVITICUS 19:13 Nuk do të mundosh fqinjin tënd dhe as do ta vjedhësh; mëditjen e punëtorit mos e mbaj te ti deri në mëngjesin vijues.

LEVITICUS 19:14 Nuk do të mallkosh të shurdhërin dhe nuk do të vësh asnjë pengesë para të verbrit, por do të kesh frikë nga Perëndia yt. Unë jam Zoti.

LEVITICUS 19:15 Nuk do të bësh padrejtësi gjatë gjykimit; nuk do të tregohesh i anshëm me të varfërin as do të nderosh personat e fuqishëm; por do të gjykosh të afërmin tënd me drejtësi.

LEVITICUS 19:16 Nuk do të shkosh e të sillesh duke shpifur nëpër popullin tënd, as do të mbash qëndrim kundër jetës të të afërmit tënd. Unë jam Zoti.

LEVITICUS 19:17 Nuk do të urresh vëllanë tënd në zemrën tënde; qorto gjithashtu fqinjin tënd, por mos u ngarko me asnjë mëkat për shkak të tij.

LEVITICUS 19:18 Nuk do të hakmerresh dhe nuk do të mbash mëri kundër bijve të popullit tënd, por do ta duash të afërmin tënd si veten tënde. Unë jam Zoti.

LEVITICUS 19:19 Të respektoni statutet e mia. Nuk do të bashkosh kafshë të llojeve të ndryshme; nuk do të mbjellësh arën tënde me lloje të ndryshme farërash, nuk do të veshësh asnjë palë rroba të endura me materiale të ndryshme.

LEVITICUS 19:20 Në qoftë se dikush ka marrëdhënie seksuale me një grua që është skllave e premtuar një njeriu, por që nuk është shpenguar dhe nuk ka fituar lirinë, do të dënohen që të dy, por nuk do të dënohen me vdekje, sepse ajo nuk ishte e lirë.

LEVITICUS 19:21 Burri do t'i çojë Zotit, në hyrje të çadrës së mbledhjes, një dash si fli për shkeljen;

LEVITICUS 19:22 dhe me dashin e flijimit për shkeljen prifti do të bëjë për të shlyerjen përpara Zotit për mëkatin që ai ka kryer; dhe mëkati që ai ka kryer do t'i falet.

LEVITICUS 19:23 Kur të hyni në vendin tuaj dhe të keni mbjellë lloj-lloj drurësh frutorë, do t'i konsideroni frutat e tyre si të parrethprera; për tre vjet do të jenë për ju si të parrethprera; prandaj nuk duhet të hahen.

LEVITICUS 19:24 Por vitin e katërt të gjitha frutat e tyre do të jenë të shenjtëruara, do të jenë për lavdinë e Zotit.

LEVITICUS 19:25 Vitin e pestë do të hani frutat e tyre, me qëllim që prodhimi i tyre të mund të rritet. Unë jam Zoti, Perëndia juaj.

LEVITICUS 19:26 Nuk do të hani asgjë që përmban gjak. Nuk do të zbatoni asnjë lloj shortarie ose magjie.

LEVITICUS 19:27 Nuk do t'i prisni rrumbullak flokët anëve të kokës, as do të shkurtosh fundin e mjekrës sate.

LEVITICUS 19:28 Nuk do të bëni asnjë prerje në mishin tuaj për një të vdekur, nuk do të bëni asnjë tatuazh mbi trupin tuaj. Unë jam Zoti.

LEVITICUS 19:29 Mos e ndot bijën tënde duke e bërë kurvë, që vendi të mos jepet pas kurvërisë dhe të mos mbushet me prapësi.

LEVITICUS 19:30 Të respektoni të shtunat e mia dhe do të keni respekt për shenjtëroren time. Unë jam Zoti.

LEVITICUS 19:31 Mos iu drejtoni mediumeve dhe magjistarëve; mos u konsultoni për të mos u ndotur me anë të tyre. Unë jam Zoti, Perëndia juaj.

LEVITICUS 19:32 Çohu në këmbë para atij që ka kokën të zbardhur, nderoje plakun dhe ki frikë nga Perëndia yt. Unë jam Zoti.

LEVITICUS 19:33 Kur një i huaj banon bashkë me ju në vendin tuaj, mos e trajtoni keq.

LEVITICUS 19:34 Të huajin që banon midis jush ta trajtoni njëlloj si ai që ka lindur midis jush; ti do ta duash si veten tënde, sepse edhe ju ishit të huaj në vendin e Egjiptit. Unë jam Zoti, Perëndia juaj.

LEVITICUS 19:35 Nuk do të bëni padrejtësi në gjykime, përsa u përket masave të gjatësisë, të peshës dhe të kapacitetit.

LEVITICUS 19:36 Do të keni peshore të sakta, pesha të sakta, efa të saktë, hin të saktë. Unë jam Zoti, Perëndia juaj që ju nxori nga vendi i Egjiptit.

LEVITICUS 19:37 Do të respektoni, pra, të gjitha statutet dhe dekretet e mia dhe do t'i vini në zbatim. Unë jam Zoti.